Plani për shpërndarjen e nëpunësve administrativë dorëzohet në Qeveri

Shkup, 5 janar – Ministria për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive sot në pajtim me obligimet ligjore nga ligji K5, i ka dorëzuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut informatën me planin për shpërndarjen e punonjësve administrativ.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi planin për shpërndarjen e nëpunësve administrativ e ka dorëzuar 2 javë para afatit të paraparë nga qeveria.

Në pajtim me nenin 4, paragrafi (1) i Ligjit për shpërndarjen e nëpunësve administrativ të punësuar përmes programit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Ministrinë për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive do të realizohet shpërndarja e gjithsej 1.357 punonjësve administrativ në gjithsej 258 institucione të pushtetit lokal dhe organe tjera shtetërore të themeluara në pajtim me Kushtetutën dhe me ligj.

Kjo kategori e të punësuarve do të sistemohet edhe nëpër institucionet që kryejnë veprimtari nga fusha e arsimit, shkencës, shëndetësisë, kulturës, punës, mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, sportit, si dhe në veprimtaritë tjera me interes publik të themeluara me ligj, kurse të organizuara si agjenci, fonde, institucione dhe ndërmarrje publike të themeluara nga Republika e Maqedonisë së Veriut ose nga komunat, nga qyteti i Shkupit, por edhe nga komunat e qytetit të Shkupit dhe agjencitë aksionare në pronësi shtetërore.

Zëvendëskryeministri i parë, z. Grubi me këtë rast thotë se ky plan përfshin të gjithë të punësuarit në Ministrin për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, të cilët kanë lidhur kontrata punësimi deri më datën 31 dhjetor të vitit 2019.

Grubi gjithashtu thotë se sipas planit të dorëzuar deri tek Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, punonjësit administrativ do të shpërndahen nëpër institucione tjera por në vendin e punës në të cilin kanë kontratën për punësim, përkatësisht në një vend të punës për të cilin punonjësi administrativ i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në aktin për sistemimin e vendeve të punës në institucionin në të cilin është caktuar.