Grubi pritet në takim nga Majko: U bëmë bashkë të apelojmë për Regjistrim

Tiranë, 23 mars – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi në vazhdën e takimeve në Tiranë është pritur edhe nga ministri i Shtetit për diasporë, z. Pandeli Majko.

Grubi e ka njoftuar nga afër Majkon lidhur me procesin e regjistrimit të popullatës që momentalisht po zhvillohet në diasporë dhe nga 1 prill deri më 21 prill edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një proces shumë i rëndësishëm për shqiptarët në vend dhe se përqindja më e lartë e tyre do të ndikojë në rritjen e kërkesave dhe politikave të cilat po zhvillohen këtu sepse nuk është vetëm proces statistikor por edhe politik.

“Kënaqësi e jashtëzakonshme që të takohem me mikun e vëllaun jo vetëm timin por të gjithë shqiptarëve z. Majko, që të bisedojmë për këtë proces që kam ardhur sot ku ai ka rolin kyç në këtë proces regjistrimi, sepse si proces ka rëndësi jetike pasiqë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve varet nga përqindja e regjistrimit, pas 20 viteve kemi marrë përgjegjësinë për regjistrimin e popullësisë, kemi qenë 25.17 % në vitin 2001 dhe tash në vitin 2021 do të varet nga vet ne dhe puna që do të bëjmë bashkërisht duke frymëzuar mërgatën tonë që të qaset një regjistrimi që ju merr vetëm 5 minuta kohë për të ndihmuar bashkë atdhetarët e tyre në RMV, z. Majko nuk e kurseu veten për të shtrirë dorën e bashkëpunimit për të ndihmuar dhe jam i entuziazmuar nga energjia e tij e sotme e cila nesër do të na sjellë rezultate pa dyshim, e falënderoj për kontributin e tij”, është shprehur kështu Grubi pas takimit me Majkon.

Në anën tjetër z. Majko ka deklaruar se shqiptarët duhet të mobilizohen shumë dhe të regjistrohen masovikisht pasi që nuk është vetëm proces burokratik por edhe një akt patriotik.

“Mendoj që vizita e Grubit ka sjellë një risi që nuk ndodh në botë pasi që në periudhën e fushatës në Shqipëri u bënë bashkë gjithë aktorët politik si të bashkuar për të bërë thirrje gjithë shqiptarëve të RMV që jetojnë në diasporë, që të përfshihen në procesin e regjistrimit, dua të përsëris se shqiptarët janë një popull i refuzuar, që i është refuzuar dhe numërimi, është proces që ka të bëj me të drejtat në shtetin e tretë që ka më shumë shqiptarë në trojet ballkanike, RMV-SË nuk i vjen asnjë lloj rreziku nga shqiptarët, ajo e bën RMV shtet më demokrat, në qoftë se në një hapësirë ka më shumë se 20% ju jepen të drejtat më shumë, ky është numërim i cili iu bëhet shqiptarëve kudo që janë nga Alaska, SHBA e deri në Australi të cilët duke u regjistruar do japin të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe flamurit, andaj shqiptarë mos rri por ju lutem të qenit shqiptarë sot nuk është proces burokratik por një akt patriotik”, ka deklaruar kështu Majko pas takimit me Grubin.