Shkup, 6 Shtator – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka marrë pjesë në konferencën “Skopje Economic Finance Forum 2021 – Economic Recovery and Growth Beyond Covid”, organizuar nga ministria e Financave, duke qenë folës në temën “Global and Regional Challenges and Prospects of Recovery and Growth”.
Në vazhdim ju sjellim fjalimin integral të Zëvendëskryeministrit të parë Grubi.
I dashur organizues/mikëpritës, faleminderit shumë për ftesën e pjesëmarrjes dhe për mundësinë për të folur para këtij forumi të shquar dhe urime për organizimin e kësaj konference të respektuar në këto kohë të vështira dhe sfiduese.
I nderuar kryeministër Zaev, të nderuar ministra, të nderuar panelistë, të dashur mysafirë, zonja dhe zotërinj,
Jam i nderuar që jam këtu sot me ju dhe që jam pjesë e këtij paneli për këtë temë tejet të rëndësishme.
Është e vërtet që përveç shëndetit publik, Covid pandemia ka sfiduar gjithashtu edhe ekonomitë tona dhe ka imponuar nevojën për të diskutuar mënyrat dhe zgjidhjet për rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike pas Covid-it.
Megjithatë, unë dua të trajtoj një kënd tjetër të temës dhe të flas për komisionin 5%, ose 10%, ose ndoshta edhe 15-20%.
Po e trajtoj këtë çështje sepse pandemia është e përkohshme, një ditë ajo do të largohet përfundimisht, por kërcënimi i përhershëm dhe i menjëhershëm i rritjes së ekonomisë tonë dhe shoqërive tona është korrupsioni, miqtë e mi të dashur.
Armiku kryesor dhe i vërtetë i zhvillimit është korrupsioni.
Korrupsioni, të nderuar zonja dhe zotërinj, pengon rritjen tonë në shumë mënyra dhe paraqet një kërcënim të sigurisë për demokracinë tonë.
Ai minon besueshmërinë e institucioneve dhe proceseve.
Edhe ekonomia për fillestarët thotë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa sundimin e ligjit.
Pa sundim të qëndrueshëm të ligjit, nuk mund të kemi institucione të besueshme dhe të fitojmë besimin e publikut ndaj sistemit.
Mungesa e institucioneve të besueshme dhe mungesa e besimit publik pengon parashikueshmërinë thelbësore ligjore, e cila më pas çon në drejtësi selektive dhe korruptive.
Me drejtësi korruptive, ka edhe ngurrim për investimet, prodhimin dhe ndërtimin e një klime biznesi.
Kjo çon në zëvendësimin e sistemit të drejtësisë korruptive përmes mënyrës më të lehtë për të kryer punën, si ryshfeti, mashtrimi e korrupsioni.
Pra po, Covid-i, Afganistani, Lindja e Mesme, kriza financiare, Kina, Rusia, 5G, regjimet, të gjitha këto janë sfida serioze me të cilat po përballemi, por të gjitha i gjejnë rrënjët në korrupsionin endemik dhe çdonjëra prej këtyre përfaqëson një opsion të zbatueshëm vetëm për shkak të korrupsionit ekzistues.
Një vlerësim që lexova është se për çdo vit Shtetet Anëtare të BE-së kanë humbur 120 miliardë euro për shkak të korrupsionit. Kjo ishte ekuivalenti i të gjithë buxhetit të BE-së.
Në prokurimin publik, studimet sugjerojnë se deri në 20-25% të vlerës së kontratave publike mund të humbasin për shkak të korrupsionit.
Prandaj, filloni të raportoni rastet e korrupsionit sot. Pa propagandë, pa akuza të pabaza partiake, vetëm raste reale, faktike.
Ndërtoni një koalicion të vullnetit. Qeveria, entietet joqeveritare, biznesi, akademia, mediat, të gjithë duhet të bashkohen dhe të qëndrojnë kundër korrupsionit.
Korrupsioni duhet të adresohet në shkolla, media, familje, sepse është një virus më i keq se Covid-i përsa i përket rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike.
Kjo është një pikënisje për të ndërtuar një kulturë të integritetit institucional dhe personal, si dhe atë të sjelljes etike.
Ndërsa pika fillestare dhe themeli i rimëkëmbjes ekonomike në vendin tonë si dhe në rajon është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe sundimi i ligjit. Pikë.