Grubi dhe Balaj Halimaj: Mbledhja e përbashkët e qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës mbahet me 25 janar 2021

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z.Artan Grubi realizoi takim pune me homologen e tij nga Republika e Kosovës, zëvendëskryeministren znj. Albulena Balaj Halimaj.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjatë konferencës për shtyp tha se me kolegen e tij Balaj-Halimaj kanë diskutuar për mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare midis dy vendeve tona që do të mbahet me 25 janar të vitit të ardhshëm.

“Diskutuam për propozim marrëveshjet të cilat i kanë propozuar ministritë e dy qeverive tona dhe janë të shumta në numër dhe të cilat gjithsesi se duhet të presin dhe dakordim final midis grupeve teknike dhe atyre politike që në mënyrë solemne me 25 janar të vitit të ardhshëm të nënshkruhen nga ministrat dhe të solemnizohen në mbledhjen e përbashkët të qeverive tona që do të mbahet në Shkup”, deklaroi Grubi.

Grubi gjithashku ka informuar se me homologen e Kosovës znj. Albulena Balaj Halimaj kanë diskutuar edhe për mbajtjen e mbledhjeve të grupeve teknike me qëllim që brenda muajit dhjetor të përfundohen të gjitha tekstet e marrëveshjeve të cilat do të duhet të nënshkruhen.

Ndërkohë zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës znj. Albulena Balaj Halimaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, i tha Grubit se ka kënaqësinë të sheh një qeveri e cila ka vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me Republikën e Kosovës, duke theksuar se edhe pala kosovare është tejet e interesuar që të nënshkruaj marrëveshje të cilat janë në interes të vendeve tona por dhe të qytetarëve tanë.

“Deri më tani janë rreth 20 marrëveshje të cilat pritet të nënshkruhen e për të cilat do të diskutojë edhe niveli i ekspertëve, niveli teknik pastaj edhe vullneti politik i joni. Ka shumë marrëveshje që janë nënshkruar më herët me Republikën e Maqedonisë së Veriut e të cilat kanë qenë shumë të suksesshme. Ajo që vlen të theksohet, në këtë mbledhje të dy qeverive pikë e rëndësishme është nënshkrimi i marrëveshjes për pikat kufitare që do të bëhen One Stop Shop”, është shrehur Balaj Halimaj.

Të dy zëvendëskryeministrat, z. Grubi dhe znj. Balaj Halimaj vlerësojnë se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë dhe do të vazhdojnë të mbajnë  marrëdhënie të mira dypalëshe dhe që synim i të dyja vendeve është integrimin në Bashkimin Evropian.