Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi takoi sot kryetarin e partisë Republikane të Shqipërisë dhe ish ministrin e Mbrojtjes, z.Fatmir Mediu.

Të dy bashkëbiseduesit, z.Grubi dhe z.Mediu gjatë këtij takimi kanë diskutuar për situatën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë si dhe për ngjarjet tjera të rëndësishme në rajon.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri i parë z.Artan Grubi dhe kryetari i partisë Republikane të Shqipërisë, z.Fatmir Mediu këmbyen mendime edhe për bashkëpunimin midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti në fushën e rrjetit 5G, iniciativës “tre detrat” dhe komunikimin konstruktiv dhe intenziv me miqtë tanë të përbashkët amerikan.

Grubi dhe Mediu gjithashtu vlerësuan se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë, si dy vende anëtare të NATO-së po lëvizin në drejtim të duhur dhe që meritojnë plotësisht nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zv.kryeministri i parë Grubi dhe kryetari i partisë Republikane të Shqipërisë Mediu biseduan edhe rreth nevojës së mbajtjes së konferencës së parë të përbashkët ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian, me ç’rast edhe do të shënohej fillimi formal i negociatave për anëtarësim në BE.