Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi, sot priti në takim lamtumirës ambasadorin e Rumanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z.Viorel Stanila.

Gjatë këtij takimi Grubi i shprehu mirënjohje ambasadorit Stanila për angazhimin gjatë mandatit të tij katër vjeçar në Maqedoni të Veriut dhe e përgëzoi për bashkëpunimin e mirë midis Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ambasadës së Rumanisë në vend.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori Stanila diskutuan edhe rreth rëndësisë së mbajtjes së marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore, që janë një vlerë për Republikën e Maqedonisë së Veriut por edhe për rajonin dhe në këtë drejtim u konfirmua se ekziston një atmosferë e mirë në vend për një angazhim edhe më të madh në këtë drejtim dhe mos pengim të rrugëtimit tonë evropian.

Grubi dhe Stanila gjatë takimit u pajtuan se Maqedoninë e Veriut e presin reforma edhe më të mëdha dhe negociatat me Bashkimin Evropian ku Rumania si gjithmonë është e gatshme që të ndihmojë në të gjitha fazat.

Grubi i konfirmoi qëndrimin e tij ambasadorit Stanila se rruga e drejtësisë joselektive dhe sundimi i ligjit do të arrihet përmes transparencës së plotë dhe vetingut që do të kryhet ndaj bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve.

Në fund të takimit, zëvendëskryeministri i parë z.Artan Grubi dhe ambasadori i Rumanisë, z.Viorel Stanila shkëmbyen mendime dhe për mënyrat më efikase dhe të nevojshme lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19 si dhe biseduan dhe për ngjarjet politike në vend dhe rajon.