Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi, sot ka vizituar Lëvizjen kundër handikapit “Polio Plus” në Shkup.

z.Grubi me këtë rast është shprehur se angazhimet e lëvizjeve për të drejtat e personave me handikap mundësojnë krijimin e një shoqërie në të cilën personat me nevoja të veçanta janë qytetarë të barabartë dhe të integruar në shoqëri.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjatë takimit e informoi kryetarin e Lëvizjes kundër handikapit “Polio Plus” z.Zvonko Shavrevski se në përgatitje e sipër është përpilimi i Ligjit të ri për punësimin e personave me handikap si dhe përpilim i regjistrit nacional të personave me nevoja të veçanta.

Grubi para përfaqësuesve të Lëvizjes kundër handikapit “Polio Plus” u shpreh se ai dhe ekipi i tij do të mundohen të jenë një zë i fuqishëm dhe korrektor i masave për këtë kategori të personave dhe se ai do të përkrah çdo nismë për  ngritjen e çështjes së personave me handikap.

Nga ana e tij kryetari i Lëvizjes kundër handikapit “Polio Plus”, z.Zvonko Shavrevski i ka thënë Grubit se në Maqedoninë e Veriut duhet të implementohet në mënyrë të mirëfilltë Konventa për të drejtat e personave me handikap. Ai gjithashtu e informoi z.Grubi se misioni i Polio Plusit është dhe do të mbetet forcimi i vetëbesimit të personave me aftësi të kufizuara dhe krijimi i një shoqërie me mundësi të barabarta për të gjithë me qëllim kapërcimin e barrierave.

Kryetari Shavrevski dhe udhëheqësja programore e Lëvizjes “Polio Plus”, znj.Elena Koçovska i kanë theksuar zëvendëskryeministrit të parë Grubi se kjo lëvizje do të vazhdojë të promovojë qasjen deri tek mundësitë e barabarta për pjesëmarrjen e personave me handikap në të gjitha fushat kryesore të shoqërisë sonë. Ai me këtë rast ka kërkuar që të shtohet respekti reciprok dhe tu mundësohet personave me nevoja të posaçme të funksionojnë bashkë me të tjerët, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ecim para.