Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi, sot bashkë me zëvendësdrejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural z.Abdulselam Selami kanë vizituar kompaninë Bako Nuts me seli në Shkup.

Zëvendëskryeministri i parë me këtë rast tha se kompania që sot e vizitova është një shembull i vërtetë se si duhet të shfrytëzohen fondet siç është programi IPARD 2 dhe si me të njëjtat mjete të kthehen në investimi.

Grubi gjithashtu ka thënë se Republika e Maqedonisë së Veriut është lider në rajon në shfrytëzimin e fondeve përmes programit IPARD 2 dhe që kompanitë tona tashmë janë në rrugë të mirë për të afruar sektorin e brendshëm bujqësor me atë evropian.

Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural z.Abdulselam Selami dhe pronari i kompanisë Bako, z.Omer Fejzullai i thanë zëvendëskryeministrit të parë Grubi se përmes realizimit të investimeve nga programi IPARD 2 kompanive vendase u jepet mundësia për modernizimin e kapaciteteve dhe kompanitë që me këtë rast pajisen me makineri moderne me automatizëm ulin edhe koston e prodhimit dhe kështu bëhen më konkurruese në tregun e brendshëm dhe atë të huaj.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi gjithashtu ka thënë se me realizimin e investimeve të reja dhe me rritjen e prodhimit vendor, kompanitë ndihmojnë në rritjen e bruto produktit të brendshëm si dhe në rritjen ekonomike të shtetit, rritje kjo e mirëpritur në këtë periudhë të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Me respekt,
Sektori për marrëdhënie me opinionin
Kabineti i zëvendës kryeministrit të parë dhe Ministrit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive