Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi takoi sot ambasadorin e Republikës Çeke, z.Mirosllav Toman, me të cilin ranë dakord se ekzistojnë kushte për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Çekisë.

Ambasadori i Republikës së Çekisë, z.Mirosllav Toman theksoi se do të vazhdojë të jap kontribut me qëllim thellimin e marrëdhënieve të mira dypalëshe.

Nga ana e tij zëvendëskryeministri i parë Grubi i tha ambasadorit çek se vlerëson përkrahjen dhe ndihmën e deritanishme të Republikës Çeke që ia ofron vendit, në veçanti në bashkëpunimin e dy vendeve në pjesën e kontrollit të kufirit të Maqedonisë së Veriut, vija kufitare me Greqinë, por edhe në drejtim të integrimit euroatlantik.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej me kusht që i njëjti të zgjerohet dhe përforcohet.

Grubi gjatë takimit me ambasadorin çek është shprehur se rruga e drejtësisë joselektive dhe sundimi i ligjit do të arrihen vetëm përmes vetingut ndaj bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve.

Ambasadori Toman dhe zëvendëskryeministri i parë Grubi folën edhe për zhvillimet ne Maqedoninë e Veriut dhe marrëdhëniet e mira ndër fqinjësore si dhe për ngjarje të tjera me të cilat po përballet rajoni.

Me respekt,
Sektori për marrëdhënie me opinionin
Kabineti i zëvendës kryeministrit të parë dhe Ministrit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive