Shkup, 8 prill – Në suaza të aktiviteteve të ndërmarra për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive e vizituan një grup nxënësish nga bashkësia etnike rome nga disa shkolla fillore në Shkup, të cilët u pritën nga Zëvendës ministri, z. Xhabir Doko.
Me këtë rast, nxënësit kanë shfaqur talentin e tyre përmes një punëtorie artistike nga kultura dhe tradita rome duke krijuar kështu disa vepra arti.
Zëvendës ministri, z. Doko ka përgëzuar nxënësit duke i frymëzuar edhe më shumë që në të ardhmen të vazhdojnë të shfaqin talentin e tyre në fushën e artit.
“Me rastin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në Ministrinë për Sistemi Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, të ftuarit tanë ishin nxënësit nga SH.F “26 Korriku”, SH.F “Vëllezërit Ramiz dhe Hamid”, SH.F “Jasharbej Shkupi”, me të cilët zhvilluam një punëtori artistike. Artistë të rinj të talentuar të frymëzuar nga kultura dhe tradita rome krijuan vepra të shkëlqyera. Faleminderit edhe për vizatimin e dhuruar, të cilin me kënaqësi do ta vendos në zyrën time”, kështu është shprehur Zëvendës ministri z. Xhabir Doko pas përfundimit të punëtorisë artistike të mbajtur me rastin e 8 prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Ndryshe, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive gjithnjë është në përkrahje të avancimit të statusit shoqëror të romëve dhe të luftës kundër diskriminimit të tyre, duke theksuar në këtë drejtim rëndësinë e miratimit të Strategjisë për përfshirjen e romëve për periudhën 2022-2030 dhe gatishmërinë e plotë për zbatimin e saj.